Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Dorian Beun, i cili u arrestua në malin e Tomorrit.

46-vjeçari ishte i kërkuar nga SPAK për transportin e 120 kilogramëve kokainë, 15 kilogramëve heroine, 129 kilogramëve marijuanë dhe 92 kilogramëve hashash, të sekuestruara në disa operacione në Itali. Beu para togave të zeza ka pretenduar se gjykata në Itali po e heton në gjendje të lirë.

Dorian Beu ishte pjesë e grupit kriminal të trafikut të drogës Itali-Shqipëri që u shkatërrua nga megaoperacioni i autoriteteve italiane në bashkëpunim me ato shqiptare.

Grupi drejtohej nga 3 shqiptarë nga Durrësi, Braniol Liço alias Branjol Liço alias Braniol Aga, Gernard Beu alias Gernard Liço alias Gernard Ago dhe Emirjan Beu.

Ata drejtonin dhe organizonin trafikun ndërkombëtar të drogës. Nga hetimi i nisur që në vitin 2017 mes autoriteteve italiane dhe shqiptare për çmontimin e bandës italo-shqiptare, u sekuestruan 5 milionë euro dhe sasi të mëdha droge, megaoperacioni i zhvilluar në koordinim me EUROJUST solli 43 urdhër-arreste në të dyja vendet.

Ndërkohë 3 trafikantëve, anëtarë të grupit kriminal, Emirjan Beut, Syrjan Tolës dhe Dorian Beut u janë sekuestruar 1 mln euro pasuri në Durrës, të përfituara nga paratë e ardhura nga krimi. /oranews