Mbi ish-kreun e IMT Durrës, Ardian Halili, rëndojnë 3 akuza penale. I arrestuar një ditë më parë nga policia pasi u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Saint Michele Rezidencë”, Halili akuzohet për “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Sipas deklaratës së policisë, Halili e ka ndërtuar resortin “Saint Michelle Residence” në fshatin Shetaj të Ishmit gjatë kohës, kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.
Resorti përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m² dhe reklamohej nga vetë pronari i saj në rrjete sociale (video më poshtë).
Nga verifikimet e kryera nga policia rezulton se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.
“Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull.
Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës.”,- tha gjatë deklaratës së tij Drejtori i DVP Durrës, Vilson Bala.
Resorti i ndërtuar nga Ardian Halili





