Resorti i ish-kreut të IMT në Durrës, Ardian Halili, u shemb pasditen e kësaj të premteje me shpërthim të kontrolluar. Shpërthimi vjen vetëm 2 ditë nga arrestimi i tij nga policia e Durrësit, e cila e akuzon për 3 vepra penale “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Forcat xheniere realizuan shembjen e godinës 2-katëshe të resortit me 80 kg lende plasese, ndërsa objektet e tjera më të vogla u shembën me fadromë.
Nga verifikimet rezultoi se “Saint Michelle Residence” u ndërtua pa leje në një sipërfaqe prej 5600 m2, ku përfshiheshin 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë. Ai u ndërtua nga viti 2018 e në vazhdim, periudhë gjatë së cilës Halili ishte në krye të IMT-së deri në 2021.





