Një ditë pas shembjes me shpërthim të kontrolluar dhe me fadroma të resortit të tij Saint Michelle Residence, ish-kreu i IMT Durrës, Ardian Halili, do të dalë sot para gjykatës për vleftësimin e masës së sigurisë.
Seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit për shtetasin Halili do të zhvillohet këtë të shtunë, në orën 11:00, dhe gjyqtar i çështjes është Paulin Çera.
Halili u arrestua 3 ditë më parë nga policia e Durrësit, ndërsa mbi të rëndojnë 3 vepra penale “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Nga verifikimet zyrtare rezultoi se resorti “Saint Michelle Residence”, i ngritur në fshatin Shetaj të Ishmit, u ndërtua pa leje në një sipërfaqe prej 5600 m2 dhe kishte 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë.
Ai u ndërtua nga viti 2018 e në vazhdim, periudhë gjatë së cilës Halili ishte në krye të IMT-së deri në 2021.





