Ish-kryeinspektori i IMT në Durrës, Ardian Halili është lënë sot në burg nga gjykata.
Ai u arrestua pasi kishte ndëtuar pa leje një resort luksoz të quajtur “Saint Michelle Residence” në Kepin e Rodonit. Halili mbrohej në seancë nga bashkëshortja e tij avokate Rabiana Halili.
55-vjeçari akuzohet për “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës” për resortin e ndërtuar nga viti 2018 deri në vitin 2021, kohë kur Halili ishte edhe në krye të IMT.
Resorti u shemb pasditen e së premtes me shpërthim të kontrolluar, vetëm dy ditë pas arrestimit të tij nga policia e Durrësit.
Vendimi i Gjykatës:
GJYKATA E SHKALLËS SË PARË E JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM DURRËS
NJOTIM PËR SHTYP
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë shkas nga interesi i medias dhe ai publik, lidhur me shtetasin A.H, vlerëson të informojë se:
Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës është regjistruar çështja penale, me objekt “Vleftesim i ligjshëm i arrestit dhe Caktimi i Masës së Sigurimit personal” per shtetasin A.H., me kërkues Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, përfaqësuar nga Prokurore Matilda Fetahu.
Çeshtja e sipercituar u shqyrtua nga Gjyqtari i gatshëm Paulin Çera.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata:
VENDOSI:
- Vleftësimin e paligjshëm të arrestimit në flagrancë të personit nën hetim A. H., i kryer në datë 26.08.2025 ora 23:30.
- Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, ndaj personit nën hetim A. H., i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ndërtim i paligjshem” dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga nenet 199/a/4 dhe 248 të Kodit Penal.
- Urdhërohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundër këtijvendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit te Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall sot në Durrës, më datë 30 Gusht 2025.
GJYQTAR
PAULIN ÇERA





