Një 26-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia e Durrësit, i akuzuar për përdhunimin e një turisteje italiane në plazh. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit së premtes, rreth orës 05:25, ndërsa autori i dyshuar, Leonardo Preza, u vu në pranga të shtunën.
Sipas burimeve hetimore, 18-vjeçarja italiane ndodhej në Shqipëri me një grup shoqesh. Mbrëmjen e kaluar, ato kishin qëndruar deri vonë në një lokal buzë detit, ku kishin konsumuar edhe alkool. Më pas, vajza ishte larguar për pak qetësi dhe ishte ulur në shezllonet e një biznesi pranë.
Aty është pikasur nga 26-vjeçari, i cili punonte sezonalisht në lokalin ku turistet kishin kaluar mbrëmjen. Fillimisht ata kanë biseduar për disa minuta, por më pas, sipas dëshmisë së vajzës, Preza ka ushtruar dhunë dhe ka abuzuar seksualisht me të.
“E shtyva disa herë, tentova me gjithë forcën time për të mos e lejuar të kryente marrëdhënie me mua, por ai nuk u ndal. Më zhveshi me dhunë dhe abuzoi me mua”, mësohet të ketë deklaruar 18-vjeçarja përpara hetuesve.
Sipas hetimeve paraprake, dëshmia e saj mbështetet edhe nga gjendja fizike në të cilën u gjet, si dhe nga shenjat e dëmtimeve në trupin e 26-vjeçarit, që dyshohet se janë shkaktuar gjatë rezistencës së viktimës.
Policia konfirmoi se i arrestuari ka precedentë penalë. Hetimet po vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.





