Policia ka arrestuar në flagrancë 19-vjeçarin F. R., banues në Shijak, i cili mëngjesin e sotëm te “4 rrugët e Shijakut” përplasi me automjetin e tij mjetin që drejtonte 26-vjeçari G. K. nga Sukthi, i cili humbi jetën në vendngjarje.

“Në vijim të informacionit paraprak, të dhënë mëngjesin e sotëm, mbi aksidentin rrugor te vendi i quajtur “4 rrugët e Shijakut”, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. R., 19 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi me automjetin që drejtonte, përplasi automjetin që drejtonte shtetasi G. K., 26 vjeç, banues në Sukth, i cili humbi jetën në vendngjarje.”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.