Në prangat e policisë Durrës ka rënë një i ri, i cili akuzohet si autor i dy magazinave me materiale ndërtimi në lagjen nr.5.
“Në orët e para të mëngjesit të datës 4 nëntor, theu me sëpatë, dyert e 2 magazinave në lagjen nr. 5, dhe vodhi materiale ndërtimi (me vlerë rreth 150 000 lekë), vihet në pranga 28-vjeçari. Ai u kap në flagrancë në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë tentativës për të vjedhur sërish me thyerje, në njërën prej magazinave ku kishte vjedhur një natë më parë”,- njofton policia.
Kanë qenë kallëzimet e 2 shtetasve, që zotëronin magazinat e vjedhura që kanë vënë në lëvizje policinë.
“Në vijim të veprimeve hetimoro-procedurale të kryera pas kallëzimeve të 2 shtetasve, se në orët e para të mëngjesit të datës 04.11.2025, në magazinat e tyre, në lagjen nr. 5 (në të cilat shiteshin materiale ndërtimi), ishte vjedhur me thyerje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan vënien në pranga të autorit të këtyre rasteve, shtetasin B. R., 28 vjeç, banues në Durrës.
Ai u kap në flagrancë, me mjet prerës (sëpatë) në dorë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë tentativës për të hyrë me qëllim vjedhjen, në njërën prej magazinave ku kishte vjedhur në orët e para të mëngjesit të datës 04.11.2025.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas”,- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





