Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Durrës, ku një 63-vjeçar humbi jetën pasi ra nga lartësia gjatë punimeve në një banesë në lagjen nr. 8, Policia ka bërë me dije zhvillime të reja.
Sipas informacioneve zyrtare, administratori i subjektit për të cilin punonte viktima, një 57-vjeçar, është shpallur në kërkim, ndërsa ndaj inxhinierit dhe përgjegjësit të firmës ka nisur procedimi penal.
Të tre po hetohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërsa policia vijon punën për kapjen e administratorit të shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë dje mbi humbjen e jetës së shtetasit F. M., 63 vjeç, dyshohet si pasojë e rënies nga lartësia gjatë kryerjes së punimeve të ndërtimit në një banesë në lagjen nr 8, njoftojmë se Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës shpallën në kërkim administratorin e subjektit, shtetasin G. Z., 57 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori për inxhinierin J. S. dhe përgjegjësin A. Z. për veprën penale Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë. Punohet për kapjen e G. Z.”





