Policia e Durrësit ka konstatuar një rast të shfrytëzimit të paligjshëm të hapësirës publike në zonën e plazhit, ku një lokal në lagjen nr. 13 përdorte territorin përreth si vendparkim automjetesh, pa asnjë autorizim.
Gjatë verifikimeve u evidentua se punonjësi i parkimit merrte para nga qytetarët për llogari të subjektit, ndërsa hapësira nuk ishte e lejuar për shfrytëzim.
Si rezultat, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për administratorin e lokalit, shtetasin L. K., si dhe për punonjësin A. H., për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Njoftimi i Policisë:
Shfrytëzonte pa autorizim, një hapësirë në zonën e plazhit, si vendparkim automjetesh, në funksion të lokalit që administronte, procedohet penalisht.
Vihet në hetim edhe punonjësi që iu merrte shtetasve paratë, për llogari të subjektit.
Gjatë kontrolleve dhe verifikimeve, me objektiv evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të zënies dhe shfrytëzimit të hapësirave publike ose private, në kundërshtim me ligjin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës konstatuan një rast të tillë, në afërsi të një lokali në lagjen nr. 13.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për administratorin e lokalit, shtetasin L. K., banues në Durrës.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për punonjësin në vendparkimin e automjeteve, shtetasin A. H..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore” dhe “Punësimi i paligjshëm”.





