Normalizohet situata në akset rrugore të Durrësit.

Uji i cili kishte përmbytur për disa minuta akset më problematike të qytetit është larguar dhe për pasojë qarkullimi në qytet është normalizuar, si rezultat edhe i ndërprerjes së reshjeve të shiut.

Që në orët e para të mëngjesit, në terren kanë qenë ekipet e Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizime Durrës, të cilat kanë ndërhyrë në zonat ku prezenca e ujit në rrugë krijonte vështirësi në qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve.

Siç duket edhe në videon që po publikojmë, uji është tërhequr nga të gjitha akset rrugore në lagjet nr. 17 dhe 18, të cilat njihen si disa nga zonat më problematike në qytetin bregdetar.

Sipas Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, reshjet me intensitetin më të lartë ishin parashikuar për datat 18 dhe 19. Pas situatës së një dite më parë, parashikohet që edhe gjatë ditës së sotme, reshjet mund të krijojnë probleme në disa qarqe të vendit.