Pllakate të dëmtuara e të thyera, shkronja dhe numra të munguar, foto dëshmorësh që nuk dihet ku kanë përfunduar dhe hartat e lagështirës kudo nëpër mure.

Kjo është gjendja në të cilën ndodhet Mauzoleumi i Dëshmorëve në Durrës. Një ditë përpara 29 Nëntorit, ditës kur autoritetet më të larta vendore parakalojnë pranë këtyre pllakateve për të kryer homazhet për ata që dhanë jetën për atdhe gjendja në të cilën ndodhet ky mauzoleum lë mjaft për të dëshiruar.

Mirëmbajtja duket se nuk kryhet prej kohësh dhe pavarësisht se është kërkuar prej veteranëve ndërhyrja për rikthimin e Mauzoleumit në gjendjen që do të impononte respekt për dëshmorët e atdheut gjendja nuk ka ndryshuar aspak.

Nuk dihet nëse dëmtimi i vazhdueshëm i Mauzoleumit vjen si pasojë e kushteve atmosferike apo nga veprimtaria e qëllimshme njerëzore.

Por fakt mbetet, se gërmat dhe numrat kanë rënë nga emrat e dëshmorëve dhe vitet e lindjes dhe vdekjes së tyre dhe askush nuk është kujtuar t’i zëvendësojë, duke i kthyer ceremonitë e përvitshme në një traditë rutinë, larg nderimit real, që duhet të nisë që nga mirëmbajtja e përkujdesja, për të vijuar më tej me homazhet zyrtare çdo 5 maj dhe 29 nëntor.

M.B.