Kur ende nuk është shuar tronditja që pësoi opinioni publik nga plagosja e rëndë e një 15-vjeçari në Durrës, nga një shok shkolle 14-vjeçar, një tjetër konflikt është regjistruar mes adoleshentësh 16-17-vjeçarë.

Këtë herë fatmirësisht gjithçka nuk ka degraduar deri në persona të lënduar.

“Nisi procedimi penal për tre shtetas të mitur, të moshës 16-17 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me grushta njëri-tjetrin”,– njofton policia.

Të njëjtat burime saktësojnë për “DurrësLajm” se konflikti ka qenë i çastit dhe është mbyllur aty.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme për të 3 adoleshentët që përfunduan në telashe.