Vihen në pranga 7 drejtues automjetesh në Durrës për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe një drejtues mjeti për posedim të lëndëve narkotike.

Procedohet penalisht edhe një tjetër, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë intensifikuar monitorimet në të gjitha akset rrugore të qarkut Durrës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, si dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit.

Si rezultat i monitorimeve, gjatë 72 orëve të fundit, janë vënë në pranga 7 drejtues automjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe një drejtues mjeti për posedim të lëndëve narkotike, konkretisht:

U vunë në pranga për drejtim mjeti në gjendje të dehur shtetasit B. M., 29 vjeç; B. Ll., 25 vjeç; I. Gj., 33 vjeç; N. K., 28 vjeç; Y. M., 60 vjeç; Ç. K., 43 vjeç, banues në Durrës; dhe K. S., 46 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u vu në pranga edhe shtetasi K. A., pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij, shërbimet e Policisë Rrugore i gjetën dhe i sekuestruan një sasi kanabisi.

Në vijim të monitorimit dhe kontrolleve, u procedua penalisht për drejtim mjeti pa leje drejtimi edhe një 17-vjeçar.

Policia Rrugore e Durrësit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi, dhe të tregojnë kujdes maksimal për jetën dhe sigurinë e çdo përdoruesi të rrugës.