Pasditen e sotme, shumë banorë të kësaj zone periferike të Durrësit, pjesë e njësisë administrative Katund i Ri kanë protestuar sepse prej 4 ditësh janë nën ujë shtëpi e biznese.

Sipas banorëve përmbytja e zonës së tyre nuk ka qenë për shkak të natyrës, por për shkak të bllokimit të kolektorit.

Nga një kanal 4 metra i gjerë, në një pjesë të gjatësisë së tij ai është shndërruar në një kanal me tuba me diametër deri në 1 metër, për shkak të ndërtimeve që janë ngritur mbi të.

Banorët dhe pronarët e bizneseve kërkojnë ndërhyrje urgjente për hapjen e kolektorit, pasi dëmet materiale të shkaktuara nga përmbytjet e këtij fillim janari janë të mëdha.

Katundi i Ri është një nga njësitë administrative më të prekura nga përmbytjet, madje në këtë zonë u urdhërua evakuimi i popullsisë për shkak të rrezikut që paraqiste në terren dalja e lumit Erzen nga shtrati.