Prokuroria e Tiranës ka njoftuar sot më 11 janar se do të marrë dëshminë e Emiljano Shullazit në lidhje me atentatin që ndodhi në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani. Shullazi pritet të pyetet për çdo dyshim në lidhje me persona të caktuar që mund të kenë organizuar ngjarjen.
Gilmando Dani ishte anëtar aktiv i grupit kriminal të drejtuar nga Shullazi dhe kishte pasur probleme me ligjin për gjobëvënie, duke u liruar nga burgu në tetor të vitit 2024. Aktualisht mbetet e paqartë nëse Shullazi do të japë detaje të drejtpërdrejta mbi ngjarjen, por dëshmia e tij do të merret në ambientet e paraburgimit 313.
Ditët e fundit, Prokuroria ka marrë dëshmitë e disa personave që kanë qenë në Rinas, pasi ka dyshime se grupi kriminal mund të ketë pasur informatorë në aeroport, të cilët kanë njoftuar për lëvizjet e viktimave para ngjarjes. Hetimet janë duke u zhvilluar intensivisht dhe autoritetet po përpiqen të dokumentojnë të gjithë zinxhirin e ngjarjes për të zbuluar përgjegjësit.
Prokuroria thekson se mbetet në gatishmëri dhe se çdo informacion i ri do të përdoret për avancimin e hetimeve, duke u fokusuar në identifikimin e personave që organizuan atentatin dhe në mënyrën se si u krye ngjarja në Rinas.
Dani udhëtonte në një automjet së bashku me Muçi Shaljanin, kur u qëllua për vdekje. Të dy sapo kishin mbërritur nga Spanja, kur ndodhi atentati.





