Vijon të jetë e rënduar situata e banorëve të ish-Kënetës, shtëpitë e të cilëve janë ende nën ujë, sot kur shënohet dita e gjashtë e përmbytjes.

Uji është i pranishëm ende në shumë banesa, katet e para të të cilave kanë dëme të konsiderueshme dhe do duhet kohë që të kthehen në të banueshme.

Shenjat e lagështirës janë ende të pranishme nëpër mure, kurse banorët mundohen me pompa apo fshesa të largojnë ujin e mbetur nga ambientet e brendshme apo oborret e shtëpive të tyre.

Të enjten dhe të premten më 8 e 9 janar, banorët e përmbytur të kësaj zone, të mbështetur edhe nga eksponentë të Partisë Demokratike kanë protestuar para bashkisë së qytetit, ku kanë kërkuar nga autoritetet lokale normalizimin e situatës në lagjen e përmbytur dhe vënien në punë të hidrovorëve, të cilët sipas opozitës nuk kanë punuar me kapacitet të plotë dhe kjo është një nga arsyet se pse qyteti bregdetar u përmbyt dhe uji ende nuk është larguar nga zona të caktuara.