Një tjetër investim publik në Durrës që e merr uji!

Këtë herë nuk bëhet fjalë për një rrugë dytësore, shtresa asfaltike e të cilës u dëmtua, 6 ditë pasi ishte rikonstruktuar, por bëhet fjalë për një investim miliona euro, që pavarësisht se ka më pak se një vit që ka përfunduar, që tani shfaq problemet e para infrastrukturore përgjatë gjithë gjatësisë së tij.

Pamjet që “DurrësLajm” po publikon i përkasin shëtitores bregdetare në zonën e plazhit, një investim i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili është dëmtuar ndjeshëm.

Gropa të shumta janë shfaqur në shëtitore nga Agipi në Plepa, duke dëshmuar se bëhet fjalë ose për një investim të realizuar shkel e shko, ose për një projekt që nuk ka marrë parasysh të gjithë faktorët klimaterikë si dhe efektin shkatërrues të detit, që ndodhet vetëm pak metra larg.

Faza e dytë e rehabilitimit të shëtitores bregdetare që nisi të zbatohej në shtator të vitit 2024 ( Agip – Hekurudha) kapi vlerën rreth 7.5 milionë euro dhe u financua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa u zbatua nga FSHZH.

Pas rrugës në lagjen nr.8 të Durrësit asfalti i së cilës u “shkërmoq” 6 ditë pasi u shtrua, shëtitorja bregdetare mund të konsiderohet me plot gojën një tjetër investim i dështuar i FSHZH-së.

Kur ka vetëm disa muaj që investimi për ndërtimin e fazës së dytë të shëtitores dhe rehabilitimin e 41 fasadave të pallateve ka përfunduar, një pjesë e parave të shpenzuara duhet se ka shkuar kot dhe investimi publik i realizuar në zonën turistike do të ketë nevojë për të tjera para, për të riparuar “gabimet” e bëra gjatë investimit të parë.  

M.B.