Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në rajonin Shkodër-Lezhë ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë I.D., shef i Logjistikës pranë DVKM Kukës, i dyshuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00, në aksin rrugor Milot – Morinë, ku I.D. u përfshi në një aksident me pasagjerë të tjerë. Si pasojë, u dëmtuan shtetasja XH.H. dhe dy fëmijë të mitur, të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin e Traumës, por jashtë rrezikut për jetën.
Testi i alkoolit ka rezultuar pozitiv, me nivele prej 1.00 mg/l dhe 0.98 mg/l.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë I.D., me detyrë Shef i Logjistikës pranë DVKM Kukës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Drejtim i automjetit në gjendje të dehur” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar në nenet 290/1 dhe 291 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pasi mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00, duke drejtuar mjetin e tij në aksin rrugor Milot – Morinë, është përfshirë në një aksident, ku si pasojë janë dëmtuar pasagjerët e automjetit tjetër, shtetasja XH.H., dhe fëmijët e mitur shtetasit Z.B., dhe S.B., të cilët ndodhen në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Pas verifikimit me testin matës të alkoolit ka rezultuar pozitiv në masën 1.00 mg/l dhe 0.98 mg/l.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Lezhë“, thuhet në njoftimin e policisë.





