Kur ka kaluar më shumë se 1 vit nga dorëheqja e drejtorit të Drejtorisë së Pergjithshme Detare, Paulin Ndreu, ministrja e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku ka emëruar zëvendësuesin e tij.
Në këtë post është emëruar Tomor Harizi, i cili që nga shtatori i vitit 2024 ishte komanduar në këtë detyrë, për të zëvendësuar drejtorin e dorëhequr.
Po kush është drejtori i ri i DPD-së?
“DurrësLajm” mëson se drejtori i ri Tomor Harizi ka një karrierë të gjatë nē fushën e detarisë dhe një sërë kualifikimesh ndërkombëtare në këtë fushë.
CV e drejtorit Tomor Harizi
Z. Tomor Harizi eshte diplomuar në Akademinë e Detarisë në Vlorë në vitin 1994, me kualifikim si Komandues Detar Karriera profesionale është ndërtuar mbi përvojën ne fushen e detarise dhe angazhimit institucional në administratës detare.
Në periudhën 1995–2006 ka ushtruar detyra të ndryshme në sektorin privat, kryesisht në fushën e detarisë, duke shërbyer si Oficer i Parë dhe Kapiten Anije në anije tregtare.
Në vitin 2007 ka filluar përvojën profesionale në Kapitenerinë e Përgjithshme të Porteve të Republikës së Shqipërisë (sot Drejtoria e Përgjithshme Detare), ku ka ushtruar detyra të ndryshme, duke filluar si Inspektor Kapitenerie, më pas si Përgjegjës i Sektorit të Kontrollit Shtetëror Portual. Nga viti 2020 ka ushtruar funksionin e Zv/ Drejtorit të Përgjithshëm dhe Kapitenit të Porteve.
Z. Harizi ka një sërë kualifikimesh në fushen detare pranë institucioneve nderkombetare si IMO dhe EMSA.
Në dhjetor 2025 është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme Detare.
M.B.





