Pas lajmit për gjendjen e rëndë të tre fëmijëve në Durrës, Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë ka reaguar zyrtarisht duke bërë me dije se ka përfunduar mbledhja e Grupit Teknik Ndërsektorial.
Në këtë takim, ku morën pjesë Shërbimi Social, Policia, Shëndetësia dhe organizata joqeveritare, u vendos ndërhyrja e menjëhershme për ndihmën e tre fëmijëve dhe nënës së tyre, Blerina Basha. Fëmijët do të pajisen urgjentisht me veshmbathje dhe medikamente, ndërsa banesa do të pastrohet dhe dezinfektohet, me financim nga ARSIS dhe World Vision.
Familja do të ndihmohet për zhvendosjen e regjistrimit civil në Durrës, çka do t’i hapë rrugë përfshirjes në programin e banesave sociale. Për nënën do të sigurohet një punë me orar 8-orësh dhe përfshirje në kurse prindërimi, ndërsa Shërbimi Social do të kryejë monitorim të përditshëm të situatës.
Njoftimi i plotë:
Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit nëpërmjet drejtoreshës së saj Diola Xhango bën me dije se pak më parë ka përfunduar mbledhja e GTN(Grupi Teknik Ndërsektorial)ku bëjnë pjesë: vetë shërbimisocial OJQ,Policia,Shëndetësia etj.lidhur me ndihmën për 3 fëmijët dhe nënën e tyre Blerina Basha.
U vendos që menjëherë tu vihet në ndihmë atyre duke i dërguar urgjent në spital të 3 fëmijëve veshmbathje,të gjitha medikamentet për trajtimin e sëmundjes.Do të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i banesës.Këto i morën përsipër ti financojnë ARSIS dhe World Vision.
Ndërkohë familja do të ndihmohet që ta zhvendosë regjistrimin nga Vau i Dejës(pasi me letra janë banorë të Malsisë së Madhe) dhe të regjistrohen si banorë të Durrësit.Duke u bërë banorë të Durrësit,bashkia do ta regjistrojë në listën e atyre që do të strehohen në banesa sociale.
Nënës,nëpërmjet Zyrës së Punës,do ti ofrohet sërish një punë dinjitoze në mënyrë që të mos punojë 16 orë sikundër pretendon por 8 orë në mënyrë që të mirërrisë fëmijët e saj.Nënës gjithashtu do ti ofrohen kurse prindërimi në funksion të mirërritjes së fëmijëve.Për çdo ditë do të kryhen kontrolle mbikqyrje nga shërbimi për mbarëvajtjen e familjes.Pra ajo do të jetë në provë për të parë nëse është e aftë të mbajë kujdestarinë ndaj fëmijëve apo jo.





