Rinisin punimet në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia” në Durrës.
Pas ndërprerjes disa mujore dhe shqetësimit që kantieri i hapur dhe i braktisur solli për banorët e zonës dhe qytetarët durrsakë, mjetet e rënda janë rikthyer në kantier dhe po punojnë pa ndërprerë.
Të nisura në prill të vitit të kaluar, punimet u ndërprenë pas rreth dy muajsh, duke e kthyer këtë pjesë të shëtitores në një kantier ku ujërat e zeza, pirgjet me inerte dhe mbeturinat dëmtonin imazhin e kësaj hapësire publike, të frekuentuar në masë të madhe nga qytetarët durrsakë, vizitorët dhe turistët e huaj.
Punimet qenë parashikuar të zgjasnin 8 muaj, por ky mund të jetë një tjetër investim publik që nuk përfundon brenda afateve të përcaktuara.
Në pjesën fundore të shëtitores “Taulantia”, afër Sfinksit, është planifikuar të zbatohet projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Qëllimi i projektit të studios spanjolle, të themeluar nga arkitekti i famshëm Ricardo Bofill, është përmirësimi i aspektit viziv të kësaj hapësire publike.
Kamera e “DurrësLajm” ishte sot në kantier për të parë nga afër punimet. Kjo është ndërhyrja e tretë në shëtitoren “Taulantia” në harkun kohor të 5 viteve të fundit, që konsiston në rehabilitimin e saj.
Në ndërhyrjen që financohet nga BERZH dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit planifikohet, ndër të tjera, ndërtimi i një dallgëthyesi dhe zëvendësimi i bankinës së drunjtë me pergola betoni me lartësi mbi 2 metra.





