Detaje të tjera janë zbuluar lidhur me arratisjen e bujshme të Altin Ndocit, i cili u largua ditën e sotme nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit, duke vënë në gjendje alarmi strukturat e rendit.

Sipas informacioneve, i paraburgosuri kishte shkuar për kontroll mjekësor në spitalin Infektiv të Durrësit, nën shoqërinë e tre punonjësve të Policisë së Burgjeve. Gjatë qëndrimit në spital, Ndoci ka kërkuar të përdorë tualetin dhe në atë moment ka sulmuar fizikisht efektivin që e ruante pranë derës, duke arritur të largohet nga godina.

Burime nga policia bëjnë me dije se në parkimin e spitalit dyshohet se e priste një automjet luksoz, Audi A7 me ngjyrë të bardhë dhe me targa AA700RS. Menjëherë pas daljes nga ambientet e spitalit, ai është futur në mjet, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të zonës së Spitallës.

Forcat e policisë kanë nisur kontrolle të shumta në qytetin e Durrësit dhe në zonat përreth, duke vendosur pika kontrolli në akset kryesore rrugore. Paralelisht, po shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur rrugën e ndjekur gjatë arratisjes.

Autoritetet dyshojnë se largimi i Ndocit nuk ka qenë i rastësishëm, por i organizuar në detaje, duke marrë parasysh të kaluarën e tij kriminale dhe rrezikshmërinë e lartë.