Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, duke sqaruar se gjatë shoqërimit për vizitë mjekësore nuk janë respektuar procedurat standarde të sigurisë.

Sipas deklaratës, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës për planifikimin dhe realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Po ashtu, rezulton se nuk janë zbatuar protokollet për shoqërimin e të paraburgosurve.

Në bazë të të dhënave paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, ndërsa në bashkëpunim me Prokurorinë janë ndaluar disa punonjës të Policisë së Burgjeve dhe staf shëndetësor.

Deklarat e plotë:

DEKLARATË PËR SHTYP

DATË: 14.01.2026

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:

Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.

Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.

I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.

Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:

• z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;

• z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;

• z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);

• znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;

• z. Aulon Quku – Kryeinfermier;

• z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.

Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:

• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;

• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.