Një operacion i rrallë dhe me masa ekstreme sigurie është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 2026, ku 15 të burgosur me rrezikshmëri tepër të lartë janë transferuar nga burgu i Durrësit drejt IEVP Peqin, burg i sigurisë së lartë.

Transferimi u krye pak pas mesnate, nën shoqërimin e dhjetëra mjeteve policore, me masa të shtuara sigurie dhe protokolle të rrepta, ndërsa kolona mbërriti në ambientet e burgut të Peqinit rreth orës 00:15.

Në fokus të operacionit ishin personat me rrezikshmëri të lartë, të cilët deri më tani qëndronin në burgun e Durrësit, institucion i njohur ndryshe edhe si “burgu i VIP-ave”, për shkak të kushteve dhe profilit të disa prej të dënuarve.

Fillimisht ishte paralajmëruar që një pjesë e të burgosurve të transferoheshin drejt burgut të Fierit apo institucioneve të tjera, por më të rrezikshmit janë përzgjedhur të sistemohen në Peqin, burg që ka seksion të posaçëm të sigurisë së lartë dhe kontroll maksimal.

Vendimi për zhvendosjen masive të burgosurve me rrezikshmëri të lartë erdhi menjëherë pas arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit, një ngjarje që tronditi sistemin e sigurisë së burgjeve shqiptare dhe që nxori në pah nevojën për riorganizim të menjëhershëm të burgjeve.

Burime jo zyrtare bëjnë me dije se 206 të dënuar dhe paraburgosur të Burgut të Durrësit janë kaluar në “sitë”, për të vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë së secilit. Një ditë më parë ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari urdhëroi hartimin e një plani të ri kombëtar rishpërndarjeje, duke i ndarë të burgosurit sipas rrezikut shoqëror.

Pika kyçe e urdhrit ishte largimi i të gjithë personave me rrezikshmëri të lartë nga burgu i Durrësit, i cilësuar shpesh për kushtet e tij më komode, dhe sistemimi i tyre në një nga 7 burgjet e sigurisë së lartë që funksionojnë në Shqipëri.

Deri para këtij vendimi, në një seksion të veçantë në Burgun e Durrësit ndodheshin 27 persona me rrezikshmëri të lartë, pjesë e një total prej 54 të dënuarve dhe 152 të paraburgosurve.

Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë 20 institucione të vuajtjes së dënimit, nga të cilat 7 kanë seksione të sigurisë së lartë, ku tashmë po përqendrohen elementët më problematikë të botës së krimit.