Këtë të premte, banorët e rrugës “Isuf Ferra” në Durrës kanë dalë sërish në protestë për të kundërshtuar vlerën e shpronësimit të banesave të tyre, që preken nga projekti i Unazës “Lidhja e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga”. Ata kërkojnë nga pushteti vendor shpronësim me vlerën e tregut ose sistemim nga bashkia në po të njëjtën zonë, ku kanë shtëpitë.
Në mbështetje të tyre ka qenë ditën e sotme edhe kreu i FRPD Durrës, Shyqyri Myrtollari, i cili u shpreh se kishte ardhur për t’u garantuar banorëve se problematika e tyre do të ndiqet nga këshilltarët dhe deputetët demokratë.
Po ku do të konsistojë projekti i 2 unazave të qytetit, që lidhin zonën e Spitallës dhe Spitalit me Currilat?

Projekti financohet nga qeveria Rama dhe kap vlerën rreth 1 miliardë lekë të reja. Ai zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa kompania që realizon punimet në terren është “Geci sh.p.k.”. Afati i përfundimit të punimeve është 24 muaj.

Tenderi figuron me Flamur të kuq në databazën Open Data Albania, pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit, që nuk është operatori me ofertën më të ulët në procedurën e prokurimit.

Në zonën e Spitallës, unaza do të kalojë përmes aksit “Pjetër Bogdani”, ndërsa tek Spitali Rajonal për t’u futur në unazë do të përdoren dy akset “Prokop Meksi” dhe “Abdulla Peku”, të cilat lidhen me rrugën “Isuf Ferra”. Akset “Pjetër Bogdani” dhe “Isuf Ferra” do të lidhen me njëra tjetrën përmes rrethrrotullimit në zonën kodrinore të Currilave (linku i projekti publikuar në faqen e bashkisë).


Bashkia Durrës kaloi në mbledhjen e ditës së martë të Këshillit Bashkiak listën e shpronësimeve, për banesat, që do të shemben për t’i hapur rrugë investimit të qeverisë.


Vlera e shpronësimeve është 936,536,189 lekë, ndërsa në listën e aprovuar në këshill figurojnë 135 prona, pjesa dërmuese e të cilave është tokë shtet. Fondi i shpronësimit do të përballohet nga bashkia dhe do të parashikohet në buxhetin e vitit 2026-2027.
Në zonën ku do të ndërtohen dy unazat janë edhe pasuri të paluajtshme të llojit ndërtesë, të cilat figurojnë të regjistruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por që në momentin e verifikimit në terren nga grupi i punës së bashkisë nuk ekzistojnë fizikisht, pasi janë të prishura.
Për këto të fundit, që preken nga prishjet bashkia thotë në relacion se “Në këtë kuadër, për pasuritë e mësipërme janë hartuar procesverbale konstatimi në terren. Këto ndërtesa nuk janë përfshirë në tabelën e vlerësimit për shpronësim, për shkak të mungesës së objektit fizik të shpronësimit”.
M.B.





