Pas protestave të vazhdueshme në Durrës dhe Tiranë të përfaqësuesve të mbi 80 familjeve durrsake që preken nga projekti TID, kryeministri Edi Rama ka ardhur këtë të shtunë në bashkinë bregdetar për t’u takuar me banorët.

Në takimin e mbajtur në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak ishin të pranishëm rreth 30 banorë, ndërsa shumë të tjerë, të shoqëruar edhe nga eksponentë të partive opozitare, qëndruan për mbi dy orë në shesh, ku nuk mungonin edhe pankartat “Larg duart nga pronat tona”.

Në përfundim të takimit, kryeministri u prit me thirrjet “Rama ik:” dhe “O hajdut” nga disa prej të pranishmëve në shesh, të cilët u shoqëruan në polici nga forcat e rendit.  

I pyetur nga “DurrësLajm” se cili ishte rezultati i takimit, kreu i qeverisë ju përgjigj se do të rishikohen disa gjëra nga projekti, por njëkohësisht shprehu vendosmërinë se prishjet do të kryhen.

“Me 34 qytetarë të Durrësit përfaqësues të familjeve kemi folur rreth 2 orë e gjysmë. Biseda ka qenë kronstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje që nuk përfaqësojnë qytetarët apo qytetin por vetëm hallin e një 80 e kusur vjeçari, krijojnë situata që janë qesharake e që tregojnë ku është katandisur ajo farë partie.

Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para, qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por duhet një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore. Janë edhe disa prona që nuk kanë marrë hipotekë edhe pse janë atje prej kohësh.  Kemi diskutuar atje brenda edhe çështjen e çmimit dhe do duhet të shohim referencat e reja”,- tha Rama.

E ndërsa data 16 shkurt është afati i fundit i vendosur nga IMT Durrës për lirimin e banesave në mënyrë vullnetare, përfaqësuesja e banorëve Entela Koja kërkoi nga bashkia dhe inspektoriati në fjalë anulimin e vendimit.

Pas këtij takimi, mbetet ende e paqartë se cilat janë hapat që do të ndiqen në vazhdim nga institucionet shtetërore dhe nëse data 16 shkurt do të shënojë vërtet ditën e fundit të ekzistencës për shumë nga banesat që preken nga implementimi i projektit TID Durrës.

M.B.