9 guvernatorë të distrikteve rotariane nga vende të Ballkanit dhe Evropës Juglindore u mblodhën mbrëmjen e së shtunës në Durrës, në kuadër të takimit të miqësisë, i pari i këtij lloji, i propozuar nga distrikti Shqipëri – Kosovë.

Guvernatori i distriktit 24 85, Arben Dushi, u shpreh mjaft i kënaqur, që nisma e ndërmarrë u mirëprit nga të gjithë homologët guvernatorë, sepse në këtë mënyrë, distrikti që bën bashkë Shqipërinë dhe Kosovën ka mundësinë të forcojë më shumë lidhjet e bashkëpunimit me distriktet e tjera, pjesë e Rotary International.

Mjaft entuziast për takimin u shpreh edhe guvernatori i distriktit Austri – Bosnje Hercegovinë, Ralf Peters, i cili vlerësoi ndër të tjera si mjaft të rëndësishme frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë, që duhet të ekzistojë mes klubeve dhe distrikteve rotariane.

“Bashkëpunimi mes vendeve tona është diçka fantastike. Unë jam guvernator i Distriktit Austri – Bosnje Hercegovinë dhe e vlerësoj mjaft këtë takim miqësie, të propozuar nga Distrikti 2485 Shqipëri – Kosovë. Jam i lumtur që po takohem me guvernatorët e tjerë të rajonit, si dhe me shumë rotarianë shqiptarë. Do të prezantojmë distriktet tona, projektet në të cilat jemi të përfshirë dhe kjo ndihmon për të forcuar edhe më shumë lidhjet e miqësisë mes nesh”,- tha guvernatori Peters.

Gjatë takimit, 9 guvernatorët pjesëmarrës prezantuar para rotarianëve të Rotary Club Durrës dhe Rotary e-Club Durrës distriktet respektive, projektet sociale dhe humanitare në të cilat janë përfshirë si dhe theksuan rëndësinë për të shtuar kontaktet dhe urat e bashkëpunimit, jo vetëm përmes distrikteve, por edhe klubeve rotariane në vendet respektive.

Në përfundim të takimit, guvernatorët e distrikteve firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit reciprok dhe shkëmbyen dhuratat simbolike, që kishin përgatitur për njëri – tjetrin.

M.B.