Vizita e një dite më parë, e kryetares së bashkisë Durrës Emiriana Sako dhe të tjerë aktorëve institucionalë në zonën, që preket nga zbatimi i projektit TID ka shkaktuar shqetësim tek banorët.
Pavarësisht se kanë marrë kontakte me ta, qytetarët nuk kanë kuptuar qëllimin e kësaj vizite.
“Ata kaluan këtu, shikuan, por nuk folën. Ikën drejt, vazhduan punën e tyre. se çfarë kanë vendosur, e dinë ata”.
“Pa njoftim, pa thënë gjë, vetëm kur shikojmë një ditë të bukur kryetaren me persona të tjerë, që vjen këtej vërdallë nëpër lagje”,- thonë banorët.
Pas takimit të së shtunës me kryeministrin Rama dhe vizitës së kryebashkiakes në shtëpitë dhe bizneset që preken nga projekti, banorët që protestojnë prej muajsh vijojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre siç janë pezullim i projektit, dialog me autoritetet për fatin e banesave të tyre dhe rishikim të vlerës së shpronësimit, sipas vlerës së tregut.
“Të ndalohet projekti, deri në zgjidhjen reale. Të sistemohen njerëzit, të bien dakort me të gjithë qytetarët, që duan t’I prishin shtëpitë dhe pastaj të vendosin”.
“Unë jam pronare e shtëpisë dhe të vendosësh ti për çmimin e shtëoisë sime, unë nuk jam dakort. Duhet të bjerë dakort me mua. Ama jo kështu, nuk është zhvillim kjo. Kjo është hajdutllik”.
“Jemi 18 familje pa gjumë. Na kanë shkatërruar shëndetin. Nga ana psikologjike i kanë terrorizuar njerëzit”.
“Shtëpia e vjetër është 100 e ca vjeçare. Ne e dimë që këto shtëpiat mbi 100-vjeçare futen tek monumentet e kulturës. Kanë thënë vetëm rikonstruksion shtëpie, por këta rikonsttruksionin e shtëpisë e kanë kthyer në shembje dhe lulishte!”
Banorët po firmosin edhe një peticion, ku kërkojnë nga kryebashkiakja dhe IMT anulimin e vendimit që u kërkonte deri me datë 16 shkurt të lirojnë në mënyrë vullnetare banesat.
Mbetja në fuqi e vendimit të IMT-së për prishjet qëndron mbi banorët si “shpata e Demokleut”. Por nëse një ditë, fadromat do të vijnë para shtëpive të planifikuara për t’u shembur, disa prej tyre janë të vendosur për të kryer akte ekstreme.
“Unë u thashë dje, shtëpinë time e merrni kur unë të vë tritolin në brez e do shpërthej unë me gjithë shtëpi. Nuk e dua jetën më, sepse punova, luftova dhe Edi Rama po ma merr me pa të drejtë. Do bëj VKM për çmimet thotë. Gënjeshtra, gënjeshtra. Unë nuk dal nga shtëpia ime!”,- thotë e vendosur qytetarja Rita Kazazi.
M.B.





