Banorët, shtëpitë e të cilëve u prishën në ditët e fundit të janarit nga IMT, për t’i hapur rrugë zgjerimit të kanalit të ujërave të larta tek Ura e Dajlanit, do t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim. Bëhet fjalë për familjet e Lumturi Gashit dhe Skënder Dulajt.

Deri më tani, dy nga familjet, e mbetura pa shtëpi, me ndihmën e organizatës “Drejtësi sociale” kanë përgatitur paditë e para kundër Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Bashkisë Durrës.

Më datë 26 të muajit të kaluar u prishën disa banesa, që ndodheshin prej vitesh në proces legalizimi, pa u respektuar as afati 10 ditor i lënë në dispozicion për t’u larguar nga shtëpitë.

Skëndër Dulaj është një prej banorëve që po padit bashkinë dhe IMT.

Sipas avokatit të organizatës “Drejtësi Sociale”, Genti Seriani, banorët u nxorën me forcë nga banesat e tyre dhe u lanë pa strehë, në kundërshtim me ligjin për strehimin social.

Padia do të depozitohet pranë Gykatës Administrative dhe familjet e mbetura mes 4 rrugëve do të kërkojnë dëmshpërblim për dëmin pasuror dhe jopasuror të shkaktuar nga prishjet.

M.B.