42 familje durrsake, të cilave u është dorëzuar vendimi i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit për të liruar në mënyrë vullnetare shtëpinë deri më 16 shkurt kanë firmosur dhe dorëzuar pranë bashkisë peticionin, ku kërkojnë anulimin e vendimit në fjalë.
Përfaqësuesja e Grupimit Qytetar kundër Projektit TID Durrës, Entela Koja deklaroi për “DurrësLajm” se edhe pas takimit me Kryeministrin Rama, të realizuar me datë 14 shkurt, nuk ka transparencë nga institucionet, lidhur me mënyrën sesi do të procedohet në vijim.
Një ditë më parë, në podcastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama theksoi se realizimi i projektit TID Durrës është strategjik për të ardhmen e qytetit të vjetër dhe për zhvillimin e tij si destinacion turistik mesdhetar. Por Koja deklaron se projekti i Ministrisë së Kulturës, bashkisë Durrës dhe AADF-së nuk ka aspak lidhje me amfiteatrin dhe zbulimin e tij.
Sipas saj, banorëve autoktonë po kërkohet t’u merren pronat me vlera shumë të ulta shpronësimesh në emër të zhvillimit.
Disa ditë më parë, në banesat që preken nga projekti TID Durrës, shkoi kryetarja e bashkisë Emiriana Sako dhe të tjerë aktorë institucionalë, por qëllimi i vizitës mbetet ende i paqartë, për familjet që rrezikojnë të humbin banesat e tyre prej aplikimit të projektit, që synon rijetëzimin e zonës historike të qytetit bregdetar.
M.B.





