Nga dita e sotme nis rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me 5%, i cili do të jetë në fuqi përgjatë gjithë pjesës së mbetur të këtij viti.

Kjo pritet t’i japë një implus të ri tregut imobiliar dhe qytetarëve që duan të përditësojnë vlerën e pronës së tyre.  

Në Durrës, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur ndjeshëm, duke arritur vlera të paimagjinueshme deri 2-3 vite pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019. Por a pritet të ulë çmimin për metër katror të banesave apo bizneseve procesi i rivlerësimit me 5%?

“Është vështirë që të ndikojë shumë tek ulja e çmimit. Dikush patjetër që mund të bëjë një llogaritje të vogël dhe mund ta ulë pak meqë do të paguajë më pak taksa, por do të jetë një ulje relativisht e ulët, jo një ulje që mund të ndihet”,- thotë agjenti imobiliar, Florian Tahiri për “DurrësLajm”.

Sipas agjencive imobiliare, lagjja nr.1 dhe komplekset e pallateve që po ndërtohen tek Durrës Marina janë zonat me çmimet më të larta për metër katror, duke variuar deri në 2500-3000 euro. Por edhe në zonat periferike, çmimet janë rritur ndjeshëm.

“Në përgjithësi nuk gjen më në qytet poshtë 1000 euro m2. Në zonën e Spitallës kemi vlera rreth 1100-1200 euro m2 nëse është pallat i ri”,– thotë Tahiri.

Kjo rritje e pandalshme çmimesh në tregun imobiliar shpjegohet nga agjentët me disa investime të rëndësishme që po realizohen në qytetin bregdetar, si marina turistike, hekurudha Durrës-Tiranë, porti i ri industrial, rijetëzimi i zonës historike, 2 unazat e qytetit që lidhin Kallmin dhe Currilat me zonën e Spitallës etj.

E ndërsa procesi i rivlerësimit ka nisur të kryhet që nga kjo e martë edhe këtë herë ai do të bëhet me referencat e vjetra, që janë aktualisht në fuqi.  

Kur një individ zgjedh që rivlerësimin ta bëjë në ASHK, vlera e pronës së tij i afrohet me çmimet minimale fiskale që janë në fuqi. Ndërsa kur rivlerësimi bëhet me ekspert të licencuar, vlera e pronës mund të dalë edhe më e lartë.

M.B.