Bashkia Durrës ka nisur zbatimin e ligjit të ri “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa” duke u kërkuar qytetarëve, që të krijojnë asambletë dhe të zgjedhin kryesinë e pallatit të tyre.

Të gjitha informacionet e nevojshme gjenden pranë njësive administrative dhe u kërkohet qytetarëve, që ta iniciojnë sa më shpejt këtë proces, i cili është mjaft i domosdoshëm për të garantuar mirëmbajtjen e ambienteve të përbashkëta në godinat kolektive.

“Bashkia, nëpërmjet njësive administrative, synon informimin në masë të gjerë të banorëve për këtë detyrim që ata kanë për konstituimin e asamblesë dhe kryesisë. Ky proces është shumë i rëndësishëm, sepse asambleja përbën organin më të lartë vendimmarrës, ndërsa kryesia ushtron funksionet ekzekutive. Vetëm pas konstituimit të asamblesë dhe zgjedhjes së kryesisë mund të vijohet më pas me procedurat ligjore, që ligji përcakton, që kanë të bëjnë me përzgjedhjen e administratorit, por edhe me të gjithë procesin që nënkupton mirëmbajtja e pronës së përbashkët”,- bën të ditur për “DurrësLajm”, Daniela Murataj, përgjegjëse në sektorin e bashkëpronësisë në bashkinë Durrës.

Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së Durrësit ndodhet në emigrim dhe kjo ka krijuar vështirësi për administratorët aktualë në pallatet e ndërtuara pas viteve 90 për të mbledhur jo vetëm tarifën e administrimit, por edhe të tjera detyrime të përbashkëta që lidhen me mirëmbajtjen e godinës. Përgjatë viteve të tranzicionit, shumë ndërtesa janë të pambuluara nga çdo formë menaxhimi, gjë që sjell shpesh konflikte mes banorëve të një pallati. Në ligjin e ri sanksionohen masa administrative për ata, që shmangin detyrimet kundrejt administrimit të pallatit.

“Ligji parashikon sanksione, në rast se këto detyrime nuk përmbushen. Parashikohen gjoba që shkojnë në masën 5000 -1000 lekë të reja. Këto aplikohen në rast se nuk përmbushen këto detyrime që qytetarët kanë për mirëmbajtjen e pronës së përbashkët”,- thotë Murataj.

Duke qenë se ligji i ri kërkon që çdo ndërtesë me më shumë se një pronar duhet të ketë një administrator, individ ose shoqëri të certifikuar nga bashkia, pushteti vendor në Durrës u kërkon qytetarëve, të përmbushin sa më shpejt detyrimin e tyre ligjor.  

“Të gjithë banorët të drejtohen pranë njësive, ku përveçse do t’u shpjegohet ana ligjore e gjithë kësaj procedure, ata do të kuptojnë, që zbatimi i ligjit nuk duhet të mbetet thjesht një akt formal, por ata duhet ta shikojnë si një mekanizëm, që është në shërbim të tyre, pasi rrit edhe vlerën e pronës. Ashtu sikurse kujdesen për njësinë individuale, po njësoj duhet të kujdesen edhe për pronat që i gëzojnë në bashkëpronësi me banorët e tjerë”.

Ligj i ri i bashkëpronësisë synon të forcojë bashkëjetesën urbane, të mbrojë vlerën e pronës së përbashkët dhe të sigurojë cilësi më të mirë jetese për qytetarët.

M.B.