Përfundoi së rehabilituari në fund të shkurtit të vitit të kaluar, por pa u mbushur ende një vit nga ndërhyrja në të, aksi “Bajram Curri” në Shën Vlash paraqet dëmtime të shumta.
Kjo rrugë që ndodhet në njësinë administrative Rrashbull, të bashkisë Durrës, i shërben një komuniteti prej rreth 600 banorësh.
Investimi për rehabilitimin e saj u krye një vit më parë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, por sot kur nuk është mbushur ende një vit nga përfundimi i punimeve, në asfalt janë shfaqur gropa të thella, deformime të shumta përgjatë gjithë gjatësisë së saj, duke vënë në dyshim cilësinë e punimeve të kryera aty.
Kjo nuk është hera e parë që akset rrugore të bashkisë Durrës, të rehabilituara nga FSHZH, të shfaqin probleme të theksuara infrastrukturore.
Rekordin për jetëgjatësinë e saj e mban një nga akset rrugore të lagjes nr. 18, asfaltin e së cilës e mori uji gjatë përmbytjes së datës 6 janar, kur kishin kaluar vetëm pak ditë nga shtrimi i saj.
Pavarësisht parave të shpenzuara për të, aksi “Bajram Curri” do të ketë sërish nevojë për ndërhyrje, ndërsa banorët e zonës do të duhet të ecin me kujdes dhe të manovrojnë mes gropave dhe deformimeve në asfalt për të shmangur aksidentet apo dëmtimet e makinës.
LEXO EDHE:





