Kulla 30 kate në zemër të qytetit bregdetar do të nisë së shpejti së ndërtuari.
Projekti i quajtur “Durrësi Tower” ka marrë pak ditë më parë edhe lejen e ndërtimit, e cila mban datën 19 shkurt. Ndërkohë subjekti ndërtues është kompania T & XH shpk, e cila në QKB figuron me administrator Përparim Cena.
Në vendin ku do të ndërtohen 4 kullat, më e larta e të cilave është 30 kate është vendosur tabela e punimeve, ku specifikohen të gjitha detajet teknike lidhur me ndërtimin e tyre.
Projekti “Durrësi Tower” do të zhvillohet në vend të godinave 2 dhe 3 kate në pronësi të familjes Fani, në lagjen nr.3, pranë Drejtorisë së Tatim Taksave.


Në projektin arkitekturor, të cilin “DurrësLajm” e publikoi në korrik të vitit 2025 kulla më e vogël do të jetë 8 katëshe, ndërsa të tjerat 17, 24 dhe 30 kate.
Lartësia e kullës më të gjatë do të jetë 110 metra, ndërsa sipërfaqja e truallit ku do të hedhin shtat 4 kullat është rreth 1430 m2.
Sipërfaqja e ndërtimit mbi tokë është 21.455 m2, ndërsa ajo e 3 kateve nëntokë është 4289 m2.
Projekti shumëkatësh pritet të realizohet brenda 60 muajve. Leja për të u dha më 19 shkurt 2025 nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Ai është institucioni kryesor që jep lejet për projektet e mëdha dhe ndërtesat shumëkatëshe dhe kjo nuk është leja e parë dhe e vetme që ka dhënë për ndërtimin e kullave në Durrës.
Projeti në fjalë u prezantua gjatë festivalit “Bukë dhe zemër”, që mblodhi në Tiranë, në muajin qershor 2025 mbi 150 arkitektë të mirënjohur ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore.
Projektuesit e Durrësi Tower, në përshkrimin për 4 kullat që do të hedhin shtat në të njëjtin vend shprehen se “ndarja në 4 vëllime të ndryshme i jep projektit një pamje të ndryshme nga secili drejtim, ndonjëherë duke u shfaqur si një grumbull kullash, ndonjëherë si dy kulla që shikojnë njëra-tjetrën”. Në të njëjtën kohë, ndarja në 4 vëllime sipas tyre i jep mundësi, që godinat të kenë sa më shumë dritë natyrale dhe ajër për banorët e ardhshëm.
Me prishjen e godinave 2 dhe 3 kate mbi të cilat do të ndërtohen kullat, qyteti do të humbë një nga banesat e stilit liberty dhe neoklasik dhe gjithashtu një nga 12 instalacionet e shtegut të “Dyerve të vjetra”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit EU4Culture.
Shumë nga bizneset që ushtronin aktivitetin në katin e parë të godinave, që do të shemben kanë ulur qepenët përgjithmonë. Të tjerë pritet të largohen së shpejti.
4 godinat shumëkatëshe, do të ndërtohen në një zonë që ka densitet ndërtimesh, por edhe densitet lëvizhmërie automjetesh në çdo orë të ditës, për shkak të afërsisë së saj me sheshin “Liria”.
M.B.





