“Gruaja në ritmet e kohës” e kishte titulluar aktivitetin e këtij viti producentja Myzejen Konduri, e cila në prag të festës së 8 marsit shpalli 10 gratë më të suksesshme të vitit në Durrës.

Eventi që këtë vit shënon edicionin e tij të 28-të i përkushtohet grave, të cilat me kontributin e tyre në ekonomi, biznes, administrim, mjekësi e shumë fusha të tjera ndikojnë çdo ditë për një shoqëri më të mirë, më të përgjegjshme dhe më të kulturuar.

Në skenën e QKF-së, secila nga zonjat që u vlerësua me titullin “Gruaja e vitit” rrëfeu më shumë lidhur me profesionin e saj, punën e përditshme dhe vizionin që ato ndajnë për të formuar dhe përcjellë një shembull që duhet ndjekur.

Të pranishme në këtë aktivitet ishin dhe deputetja Eva Budini dhe ish-deputetja Nora Malaj.

Një hapësirë e veçantë gjatë ceremonisë iu rezervua 20 fëmijëve nga shtresat në nevojë të qytetit, të cilëve iu dhurua nga një pako, e mundësuar falë kontributit financiar të 10 grave më të suksesshme të këtij viti.

Në event nuk munguan edhe momentet plot alegri dhe ritëm nën tingujt e hiteve më të njohura të këngëtarëve Mateus Frroku, Xhesika Polo etj.  

Kush janë 10 gratë më të suksesshme të vitit:

Merita Muzina – Kontabiliste

Sofjana Xhavo – Stomatologe

Katerina Deliallisi – Mjeke veterinare

Greta Guga – Mjeke psikiatër

Ornela Serusi – Administratore në kompani industriale

Liljana Turku – Biznesmene

Uarda Shehu – Farmaciste

Aida Teliti – Psikologe, lektore

Bianka Salliu – Mjeke e përgjithshme, pediatre

Suzana Ago – Administratore në kompani punësimi

M.B.