Ditën e sotme, qyteti i Durrësit ka humbur një nga personalitetet më të spikatura në fushën e mjekësisë në vitet e pas luftës dhe ato të demokracisë.
96-vjeçari Mikel Muka ka mbyllur sytë përgjithmonë paraditen e sotme, ndërsa homazhet në nderim të tij do të mbahen ditën e nesërme (e mërkurë) në orën 12.00-14.30, tek kisha ortodokse e Apostul Pavlit dhe Shën Astit.
Mikel Muka kujtohet nga bashkëqytetarët e tij si doktor Keli, që u shkollua në Bashkimin Sovjetik dhe më pas u kthye në vendin e tij për të ushtruar profesionin human të mjekut.
Për shumë vite me radhë, ai punoi si mjek mikrobiolog në Qendrën Sanitare të qytetit.
Ndërkohë, admiruesit e futbollit nuk kanë sesi të mos kujtojnë debutimet e tij të para, jo vetëm në vendin tonë me ekipet e kohës, por edhe në Bashkimin Sovjetik, ku gjatë viteve të studimit (vitet 50) u aktivizua në disa ekipe vendase.
“Mikel Muka krijoi modelin e një njeriu shumë të preferuar në shoqërinë shqiptare: profesionist i aftë, njeri më shumë se i mirë, i urtë, i qetë, me një komunikim prej njerëzve të kulturuar, ku nuk shan dhe fyen kërkënd, ku shpërndan vetëm buzëqeshje dhe maturi, ku ulet dhe punon pa iu ndjerë zëri i gojës, ku dëgjon më shumë se sa të flasë, ku nuk përton dhe është i gatshëm që të ndihmojë cilindo që e dëshiron këshillën e tij, që…, që… Dhe këto që-të janë në pafundësi, kur është fjalë për Mikel Mukën.”– shkruante gazetari Bujar Qesja në një artikull të publikuar në “DurrësLajm” më 5 nëntor 2021.





