Në fundjavë, në ambientet e QKF Durrës u shfaq premierë dokumentari “100 vjet Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës”.

I realizuar nga gazetari i njohur durrsak, Gëzim Kabashi, operatori Astrit Tahiri dhe kompozitori Hajg Zaharian, dokumentari synonte të sillte një dëshmi historike të themelimit dhe zhvillimit të Dhomës përgjatë një shekulli.

Siç shprehen vetë realizuesit e tij, dokumentari është përgatitur 4 vite më parë, por vetëm tani ai po shfaqet për herë të parë për publikun e gjerë. Përmes dokumentave arkivore, dëshmive të pasardhësve të familjeve tregtare të Durrësit 100 vite më parë, por edhe kryetarëve të Dhomës përgjatë viteve të demokracisë, autorët sollën dokumenta autentike të atyre viteve të largëta, kur Dhoma e Tregtisë Durrës hodhi hapat e para të zhvillimit të saj.

Për grupin realizues ky është dokumentari i pestë që realizojnë për qytetin, dhe sipas gazetarit Kabashi, ai nuk është thjesht një dëshmi historike, por një ngjarje e zgjatur në kohë, nga e cila mund të mësojnë edhe brezat e tanishëm.

“Ishte një sfidë për ne, grupin realizues, fakti që bënim për herë të parë një dokumentar jo më për ato që quhen trashëgimi kulturore dhe trashëgimi njerëzore, por po bënim një dokumentar për zhvillimin ekonomik të Durrësit. Kjo e bënte më të vështirë situatën. Ne ju drejtuam çdo lloj materiali dhe pasi i morëm ato krijuam mundësinë, që t’i qëmtonim dhe t’i shihnim në raport me historikun e Dhomës dhe t’i vendosnim ato ashtu siç duhet në kohë dhe në të njëjtën kohë të mos ishte një dokumentar histori, por të jetë një ngjarje të cilën njerëzit mund ta shohin dhe pse jo, të mësojnë prej saj”. – thotë autori dhe gazetari Gëzim Kabashi.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës festoi 100-vjetorin e krijimit më 18 shkurt 2021, në një ceremoni ku ishte i pranishëm Presidenti i atëhershëm i Republikës Ilir Meta. Gjatë ceremonisë presidenti Ilir Meta i akordoi këtij institucioni titullin e lartë “Për merita të veçanta civile”.

M.B.