Është inauguruar paraditen e kësaj të marte ambienti i ri miqësor për fëmijë pranë Zyrës Përmbarimore Durrës.
Kjo hapësirë e re miqësore për fëmijët është krijuar për t’i dhënë më shumë siguri dhe mbështetje atyre gjatë procedurave me objekt “Takim fëmije”.
Projekti është realizuar falë punës së përkushtuar të kryetares së Zyrës Përmbarimore dhe përmbaruesve që punojnë aty.
“Hapësira që inaugurojmë sot është modeste në pamje, por e madhe në qëllime. Ajo nuk matet me përmasat e saj modestisht të vogla, por për përkujdesin, ndjeshmërinë dhe respektin, që synojmë ne t’u ofrojmë fëmijëve. Për ne kjo është një përpjekje e sinqertë për të krijuar një vend, ku ata të ndihen të sigurt, të qetë dhe të mirëpritur edhe në momente të vështira”,– tha kryetarja e kësaj Zyre, Erjola Mustafaj.
Përveç ambientit miqësor për fëmijët, Zyra Përmbarimore Durrës do të ofrojë edhe edhe mbështetje psikologjike falas për fëmijët, në rastet ku prindërit nuk kanë mundësi ta paguajnë këtë shërbim.
Inaugurimi i kësaj hapësire në Durrës, pason atë të bërë pak kohë më parë pranë Zyrës Përmbarimore Tiranë dhe synimi i autoriteteve shtetërore është hapja e ambienteve të ngjashme në qytete të tjera të vendit.
“Në zyrën e Durrësit kemi një ambient të krijuar jo nga donatorët, po ku ka qenë dashuria, respekti dhe kontributi i gjithësecilit, duke filluar nga kryetarja e duke vazhduar me përmbaruesit. Ky projekt do të vazhdojë edhe në qytete të tjera ku ne kemi mundësi logjistike si në gjykatën e Apelit të Gjirokastrës, Korçës, pse jo dhe në ish-gjykatën e Pogradecit”,- tha Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit, Ergys Qirici.
E pranishme në ceremoninë e inaugurimit të këtij ambienti ishte edhe Zv/ministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, e cila theksoi gjatë fjalës së saj se ky investim është pjesë e Strategjive Ndërsektoriale të Drejtësisë dhe një hap i rëndësishëm drejt forcimit të shërbimeve për fëmijët. Synimi është që modele të tilla të hapen edhe në zyrat e tjera përmbarimore, duke vendosur gjithmonë në qendër interesin më të lartë të fëmijës.
Ambienti për fëmijët pranë Zyrës Përmbarimore Durrës do të jetë i aksesueshëm në oraret që vendos gjykata për këto takime, qoftë edhe gjatë ditëve të pushimit apo festave zyrtare.
M.B.





