Banorët që preken nga projekti TID i ishin adresuar me disa pyetje bashkisë Durrës, përgjigjet e të cilave i kërkonin në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Ndërsa nuk u lejuan që përfaqësues të banorëve të ishin të pranishëm në mbledhje, kryetarja e Këshillit Denisa Luarasi lexoi pyetjet, përgjigjet e të cilave i dha nënkryetari Gentian Kallmi.
E ndërsa banorët protestues zhvillonin protestën e tyre në sheshin “Liria”, brenda sallës së Këshillit Bashkiak jepeshin detajet lidhur me zhvillimet institucionale që kanë ndodhur ose pritet të ndodhin pas takimit që banorët zhvilluan në bashki me kryeministrin Edi Rama, më datë 14 shkurt.
Kur kanë kaluar më shumë se 45 ditë nga takimi, banorët janë të paqartë lidhur me hapat që do të ndiqen nga institucionet qendore dhe vendore për zgjidhjet e kërkesave të tyre.
Nënkryetari Kallmi sqaroi se për këtë çështje është ngritur një grup institucional i cili në fokus të punës ka problematikat e ngritura gjatë takimit dhe ofrimin e zgjidhjeve për familjet që preken nga projekti.





