Një aksident rrugor është regjistruar në Durrës, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Burime për “Durrëslajm” bëjnë me dije se dyshohet se mjeti, i cili po lëvizte nga autostrada Tiranë–Durrës, ka qenë me shpejtësi të lartë. Fillimisht është përplasur me një shtyllë dhe, si pasojë e shpejtësisë, ka përfunduar në kanalin e ujërave të larta.
Si pasojë e aksidentit është lënduar drejtuesi i mjetit, i cili është transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Durrësit.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, që po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.





