U miratua në maj të vitit 2024 në Këshillin Bashkiak Durrës, por ende sot vendimi për parkimin me pagesë të automjeteve në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit bregdetar nuk është konkretizuar.
Megjithëse në 3 nga parkimet kryesore të qytetit, tek Shëtitorja “Taulantia”, Muzeu i Dëshmorëve dhe Pallati i Sportit është instaluar trau që kontrollon hyrje-daljen nga parkimi, procesi nuk është finalizuar.
Kur bashkia prezantoi 2 vite më parë propozimin për ndarjen e qytetit në 2 zona të administrimit të parkimit me pagesë (A & B), tarifat respektive si dhe ditët e oraret e parkimit me pagesë, parkimin për rezidentët etj u mendua se projekti do të konkretizohej së shpejti. Por në realitet, krejt e kundërta ka ndodhur dhe projekti ka mbetur vetëm në letra.
Ja si i shpjegon nënkryetari i bashkisë, Gentian Kallmi, vonesat në zbatimin e projektit.
“Ka përfunduar në vitin 2025 sipas procedurave ligjore marrëveshja me dy operatorët e telefonisë mobile, të cilët do të ofrojnë softuerin dhe shërbimin për arkëtimin e vlerës së pagesës së qytetarëve nëpërmjet shërbimit SMS. Kjo është situata aktuale. Jemi në përfundim dhe shumë shpejt do të zhvillojmë procedurën e prokurimit për sinjalistikën e nevojshme”.
Gjatë shpjegimit të dhënë, nënkryetari renditi edhe vështirësitë për konkretizimin e kësaj nisme, por pa dhënë një afat konkret se kur institucioni i qeverisjes vendore planifikon të përmbyllë këtë proces, që dy vite më parë kaloi me shpejtësi për miratim në Këshillin Bashkiak.
“Marrëveshja me operatorët nuk është e lehtë. Sinjalistika nuk është e lehtë. Vendosja e trarëve të parkimit kërkon afatet e veta ligjore dhe në përfundim edhe përzgjedhja e bankës së nivelit të dytë ka kohën e vet në bazë të legjislacionit në fuqi”.
Projekti i bashkisë për parkimin e ndan Durrësin në 2 zona administrimi. Zona A përfshin vendndodhjet me ngarkesën më të madhe me ndërveprime intensive tregtare, financiare, institucionale apo sociale, ndërsa Zona B përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbimet tregtare, financiare, institucionale, me intensitet mesatar.
Ndërkohë, rezidentët që banojnë në zonat, ku do të aplikohet parkimi i automjeteve me pagesë nuk do të tarifohen.
M.B.





