Shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, ku mësonte 17-vjeçari që humbi jetën ka reaguar me një mesazh prekës, duke shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të nxënësit të tyre, Flori Saraçi.

Në reagimin e saj, shkolla e përshkruan këtë humbje si një nga ato lajme që nuk duhet të vijnë kurrë, ndërsa thekson boshllëkun e madh që ka lënë pas i riu në komunitetin shkollor.

“Një jetë kaq e re, plot ëndrra, buzëqeshje dhe shpresë, u ndërpre në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat tona. Sot, shkolla jonë u bë më e heshtur… bankat u bënë më të ftohta… dhe mungesa e Florit u ndje në çdo cep”, thuhet në reagim.

Në fund të mesazhit, stafi dhe nxënësit i kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, duke u solidarizuar me dhimbjen e tyre të madhe.

Ndërkohë, familjarët kanë bërë të ditur se ceremonia e varrimit do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 15:00, në varrezat e reja të Durrësit. Pritjet për ngushëllime do të mbahen pranë banesës në lagjen 3, në rrugën “Egnatia”, pallati “Aleksi”, kati i katërt.

Postimi i plotë:

Ka lajme që nuk duhen të vijnë kurrë… dhe kjo është një prej tyre.

Me një dhimbje që fjalët mezi e përshkruajnë, morëm lajmin për ndarjen nga jeta të nxënësit tonë të dashur Flori Saraçi.
Një jetë kaq e re, plot ëndrra, buzëqeshje dhe shpresë, u ndërpre në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat tona.

Sot, shkolla jonë u bë më e heshtur… bankat u bënë më të ftohta… dhe mungesa e Florit u ndje në çdo cep. Ai nuk ishte thjesht një nxënës, por një pjesë e shpirtit të kësaj shkolle, një dritë që preku jetët e shumëkujt.

Është e vështirë të pranojmë që nuk do ta shohim më mes nesh, por kujtimi i tij– mirësia, energjia, dhe gjurmët që la – do të jetojnë përgjithmonë në zemrat tona.

Në këto momente të rënda, përulemi me respekt dhe dhimbje përpara familjes së tij, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta.
Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojnë këtë humbje, por jemi pranë jush në këtë dhimbje të madhe.

Do të na mungosh gjithmonë i dashur Flori!

U prehtë në paqe shpirti yt !