Në Kampionatin Kombëtar të Notit për Fëmijë, të mbajtur në fund të muajit mars në Tiranë, ekipi i Teutës është përfaqësuar me 14 notarë, pjesa më e madhe e të cilëve të moshës 9-10 vjeç.
Pavarësisht moshës së vogël dhe periudhës së shkurtër, që ushtrojnë notin, disa prej tyre kanë arritur rezultate mjaft të mira.

Mes më të mirëve janë Dijon Troci që fitoi vendin e parë në garat 100 metra dhe 50 metra stil i lirë dhe Lilis Fici, që u shpall fitues në garën 200 metra stil i lirë.
Për trajnerin e kampionave të vegjël, Jurgen Fici, këto arritje janë mjaft premtuese, pasi ekipi i fëmijëve mund të furnizojë në të ardhmen ekipin e të rriturve dhe të vazhdojë traditën e bukur të notarëve të famshëm të skuadrës bregdetare.
Ky mentalitet fituesi po brumoset që në moshë të mitur tek këta vogëlushë, që stërviten çdo ditë pranë pishinës së mbyllur.
Megjithëse më të pakta në numër se bashkëmoshatarët e tyre, 4 vajzat e ekipit janë një komponent mjaft i rëndësishëm i skuadrës. Megan Deda, e cila fitoi vendin e dytë dhe të tretë në kampionat, përballë rivaleve më të mëdha sesa ajo në moshë ka nisur t’i shohë që tani përfitimet nga sporti i notit.
4 vogëlushet kanë edhe një apel për të gjitha bashkëmoshataret e tyre, që pse jo t’i bashkohen sa më të shumta në numër ekipit të notit.
Nën drejtimin e trajnerit të tyre, kampionët e vegjël të Teutës i kanë synimet e qarta për të ardhmen. Të ngrenë sa më shumë trofe dhe çmime të para në kampionatet e ardhshme.
M.B.





