Në vigjilje të Pashkës Katolike, besimtarët durrsakë i janë drejtuar kishave për bekimin e ushqimeve, një traditë që simbolizon bekimin e familjes përmes tryezës. Pasditen e sotme, besimtarët marrin pjesë në meshën që mbahet në kishën e Shën Domenikut.
Në vigjilje të Pashkës, at Bernard Caruana, Vikar i pёrgjithshёm nё Kishёn dioqezane Tiranё-Durrёs ka përcjellë mesazhin e tij të urimit për të gjithë besimtarët.
Në fjalën e tij, Caurana e vë theksin tek mesazhet për shpresë, solidaritet dhe mirësi mes besimtarëve dhe forcën, që besimi ka për të bërë që drita të triumfojë mbi errësirën.
Caurana u bëri thirrje besimtarëve të mos dorëzohen përballë vështirësive dhe të besojnë se ndryshimi nis nga secili individ.
“Krishti u ngjall! Për ne të krishterët kjo është zemra e fesë sonë dhe burimi i shpresës që nuk shuhet. Mesazhi i kësaj dite të shenjtë flet në mënyrë të veçantë për çdo njeri se jeta mund të rilindë, se drita mund të triumfojë mbi errësirën dhe se e mira ka gjithmonë fjalën e fundit. Në këtë kohë kur të gjithë përballemi me sfida, plagë dhe pasiguri Pashka na fton të mos dorëzohemi përballë të keqes, por të zgjedhim shpresën solidaritetin dhe përkujdesin ndaj njeri-tjetrit. Këto janë vlera që na bashkojnë përtej çdo dallimi”,- thotë ai ndër të tjera në mesazhin që përcjell përmes “DurrësLajm”.





