Janë më të bukurit e Durrësit, nxënës ekselentë dhe në një të ardhme të afërt mund të jenë mjekë të përkushtuar për shërimin e pacientëve.
Spektakli “Miss dhe Mister Durrësi 2026” kurorëzoi mes aprovimit të jurisë profesioniste dhe mbështetjes së madhe të publikut në sallë mbretin dhe mbretëreshën e bukurisë durrsake.
Spektri i bukurisë shkoi për 17-vjeçarin Noel Ballanca, ndërsa kurorën e më të bukurës e vuri në kokë 17-vjeçarja Matea Salillari, të cilët menjëherë pas kurorëzimit zbuluan emocionet e tyre të shumta për mikrofonin e “DurrësLajm”.
Shoqëruesja dhe shoqëruesi i parë i missit dhe misterit ishin Ema Jani dhe Franc Popoci, ndërsa në vend të dytë u shpallën Alisa Dervishi dhe Kliti Muha.
Për rreth 2 orë, publiku i pranishëm në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës ndoqi me mjaft kureshtje dhe ovacione sfilatat e 48 konkurentëve djem dhe vajza nga shkollat e mesme të qytetit dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” duke bërë tifo për më të preferuarit e tyre.
Për producenten Myzejen Konduri, spektakli i së premtes ishte një dritare e hapur për këta të rinj, që në të ardhmen mund të bëhen pjesë e botës së televizionit, modës etj.
Konkurentët sfiluan me veshje popullore, por edhe fustane e kostume mbrëmjeje para jurisë profesioniste, të kryesuar nga shkrimtarja Elena Kadare. Moment mjaft i veçantë ishte kur anëtarët e jurisë u ngjitën në skenë për të kurorëzuar të rinjtë me çmime si Miss dhe Mister Buzëqeshja, Fotozhenia, Top Model etj. Efekte
Gjallërinë më të madhe spektaklit ia dhanë jo vetëm këngëtarët e njohur si Anxhela Peristeri, Erik Lloshi, Xhesika Polo etj. që u ngjitën në skenë, por edhe publiku që duartrokiti dhe këndoi së bashku me ta disa nga hitet më të mira të muzikës shqiptare.
M.B.





