Pritje që shkojnë nga 15–20 minuta dhe më shumë janë verifikuar ditën e sotme në stacionet e urbanëve në Durrës.

Në të 6 linjat e transportit urban në qytet është reduktuar me 40% flota e mjeteve, në zbatim të vendimit të marrë një ditë më parë nga Shoqata e Transporteve Urbane të qyteteve.

Rritja e çmimit të naftës, e cila po vijon prej një muaji, ka prekur këtë sektor, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare për operatorët.

Reduktimi i mjeteve të transportit urban është reflektuar në vonesat me të cilat janë detyruar të përballen qytetarët.

Në një komunikim që “DurrësLajm” pati me operatorët e linjave urbane në Durrës, u konfirmua respektimi i vendimit të marrë një ditë më parë.

Ndërkohë, njoftimet përkatëse janë vendosur në të gjitha stacionet respektive, por jo të gjithë qytetarët kanë pasur dijeni për këtë vendim dhe disa prej tyre shprehen se pritjet në stacione u kanë krijuar problematika të shumta, pasi duhet të mbërrinin në kohë në destinacionin e tyre.

Në qytetin bregdetar operojnë 6 linja të transportit urban (Durrës – Plepa, Durrës – Currila, Durrës – Porto Romano, Durrës – Shkozet, Durrës – Universiteti dhe Durrës – Unazë)

Pas thirrjeve të vazhdueshme për subvencione për të përballuar rritjen e çmimeve të karburantit, të cilat nuk morën përgjigje nga institucionet, shoqatat e transportit publik kanë vendosur të ndërmarrin masa drastike.

Duke filluar nga sot (15 prill) ato do të reduktojnë me 40% numrin e autobusëve në Tiranë dhe flotën e mjeteve në rrethe, përfshirë autobusët dhe furgonat.

Shoqatat deklarojnë se, pavarësisht kërkesave të përsëritura dhe një takimi me institucionet më 1 prill 2026, nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse. Sipas tyre, mungon një skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, nuk ka plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare, nuk është dhënë asnjë afat për ndërhyrje dhe nuk ka nisur rishikimi i elementeve fiskale si akciza, TVSH-ja apo taksa e qarkullimit.

M.B.