Pas më shumë se 24 orësh kur hyri në fuqi reduktimi me 40% i numrit të autobusëve, që qarkullojnë në 6 linjat e transportit urban të Durrësit, situata është rikthyer në normalitet.
Dy kompanitë që menaxhojnë transportin urban në Durrës konfirmojnë se autobusët janë rikthyer të qarkullojnë me kapacitet të plotë në linjat respektive.
Normalizimi i situatës vjen pas arritjes së dakortësisë mes ministrive dhe operatorëve të transportit pubik për subvencionimin e naftës.
Pas një takimi që nisi që në orët e para të mëngjesit, është vendosur që transporti të kthehet në normalitet, pasi operatorët e këtij sektori do të përfitojnë subvencionim. Vlera e subvencionit do të përcaktohet në ditët në vijim.
“Nga sot do të vazhdojë transporti me kapacitet të plotë, se edhe operatorët duan ta ofrojnë shërbimin siç duhet për shkak të asaj që u pa këto dy ditë.
Do të kemi dhe takim tjetër javën që vjen për të diskutuar kërkesat e tjera ekonomike, si TVSH, akciza, kategoritë që udhëtojnë falas etj”, bëjnë të ditur operatorët.
Mëngjesin e së mërkurës, në 6 linjat urbane të qytetit bregdetar u konstatuan pritje të gjata qytetarësh, që kishin planifikuar të lëviznin me mjetet e transportit urban.
Reduktimi me 40% i flotës së autobusëve u reflektua drejtpërdrejt në lëvizshmërinë e qytetarëve, disa prej të cilëve nuk ishin ende në dijeni të vendimit të marrë nga Shoqatat e Transportit Urban dhe Interurban.
M.B.





