Ditën e sotme, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Durrës, Ndërmarrja e Rrugëve dhe Policia Bashkiake kanë nisur aksionin për lirimin e kanaleve kulluese parësore, dytësore dhe tretësore të zëna nga ndërtimet pa leje në të gjithë bashkinë Durrës.
Aksioni i kësaj të premteje u përqendrua në rrugën “Sirius” në lagjen nr.13 dhe në zonën e ish-Kënetës.

Kreu i IMT Durrës, Ilir Ngresi, deklaroi se aksioni do të shtrihet në të gjithë qytetin, ndërsa drejtori i Ndërmarrjes Rruga, Aljon Hysko theksoi se bashkia ka realizuar një miniprojekt për të gjitha ndërhyrjet në zonat, ku kanalet kulluese janë të bllokuara, me qëllim lehtësimin e pastrimit të tyre në të ardhmen dhe ofrimin e një modeli ndërtimi për banorët e zonës.


“Aksioni prek të gjitha ndërtimet pa leje të ngritura buzë kanaleve. Këtu jemi në lagjen nr.13, në plazh. Po prishim muret rrethuese. Qëllimi i ndërhyrjes është pastrimi dhe thellimi i kanaleve dhe lirimi i bankinave buzë kanaleve. Puna do të vazhdojë pa ndërprerje, madje do të punojnë edhe të shtunë e të dielë”,- deklaroi Ngresi.
“Bashkia ka bërë një miniprojekt për të tilla kanale, që ne i quajmë kanale dytësore. Ky projekt është edhe në ndihmë të banorëve, për t’u dhënë atyre një model platforme betoni për të hyrë në banesat e tyre, në mënyrë që edhe ne të mos kemi probleme me bllokimin e kanaleve”,– tha Hysko.
Prishjet e IMT-së prekin të gjitha objektet që janë ngritur mbi hapësira publike, si mure rrethuese, por edhe godina. Kreu i Inspektoriatit shpjegon se në rastet e godinave të banimit, bashkia mund të procedojë me shpronësime apo programe të tjera strehimi për qytetarët që preken.
“Në këtë segment ku jemi aktualisht janë rreth 20 shtëpi dhe në fund të rrugës janë edhe 11 shtëpi të tjera që preken. Këtu nuk ka shtëpi që prishen, janë vetëm rrethime. Ka një pjesë ndërtimesh, që janë sipër kanaleve. Për ato është një projekt i bashkisë, që do të procedojë me shpronësime për objektet që janë me certifikatë pronësie, kurse për të tjerat do të vendosë bashkia për bonus qiraje, strehime etj”,- tha Ngresi.
Aksioni i IMT-së nuk u shoqërua me kundërshti nga banorët e zonës së plazhit që preken nga prishjet.
M.B.





