Në ditët e para të marsit, përdoruesit e makinave u përballën me rritjen e parë të çmimit të karburantit në vend, që kërceu nga 175 lekë, nivel që qëndronte i pandryshuar prej gati dy vitesh, në 179 lekë për litër.

Rritja e çmimeve në ditët në vijim ishte e pandalshme, si rrjedhojë e shtrenjtimit të naftës në bursa pas nisjeve të sulmeve ndaj Iranit, që shkaktoi kaos në tregjet globale.

Pavarësisht rritjes së çmimeve, kërkesa jo vetëm që nuk ra, por u rrit, duke provuar se nafta është një produkt i domosdoshëm.

Të dhënat zyrtare nga Dogana bënë të ditur se konsumi i naftës në mars ishte 35.8 mijë ton, nga 33.8 mijë ton në të njëjtin muaj të një viti më parë, me një rritje prej gati 6%.

Edhe operatorët e tregut pohuan se nuk kanë konstatuar rënie të konsumit në mars, pavarësisht shtrenjtimit të çmimeve. Sistemi i dobët i transportit publik, i përqendruar vetëm tek autobusët, bën që shumë individë të përdorin makinat personale për të shkuar në punë, apo për të shoqëruar fëmijët në shkollë. I lartë mbetet konsumi edhe për të lëvizur në fundjavë.

Në mars, konsumi ishte 35.8 mijë ton, ose rreth 42.4 milionë litra.

Në Shqipëri, konsumi i naftës mbetet i lartë, teksa pjesa më e madhe e makinave që qarkullojnë në vend përdorin këtë karburant si lëndë djegëse. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) deri në fund të shkurtit, në vend kishte aktive 1.06 milionë mjete.

Nga këto, rreth 732 mijë, ose gati 70% e totalit përdorin naftën si lëndë djegëse. Rreth 210 mijë automjete, ose gati 20% përdorin vetëm benzinën.

Ndonëse regjistrimi i makinave elektrike po vjen në rritje, sidomos në mars, pas shtrenjtimit të naftës, pesha e tyre ndaj totalit mbetet minimale, në vetëm 1.3%, me rreth 15 mijë mjete elektrike që qarkullojë në vend.